en  fr  cs  de  et  el  es  ga  hr  it  pl  ro  sq  sk  sl  sv  nn  sr  bs  lt  mk  lb  nl  hy  pt  tr  da  bg  fi  hu  ka  lv  eu  ca  ru  gl

26 shtator 2016, 15 vjetori i Ditës Europiane të Gjuhëve  : T’i bëjmë të flasin gjuhët e Europës 

Dita Europiane e Gjuhëve (DEGj), që festohet çdo vit më 26 shtator,  është festivali i diversitetit gjuhësor, një ditë për të nxitur mësimin e gjuhëve nga fëmijët dhe të rriturit, një ditë që së bashku të  mrekullohemi  nga bukuria e të gjitha  gjuhëve europiane.

Përballë  sfondit aktual të rritjes së populizmit, ksenofobisë dhe intolerancës, ku gjuha është përdorur për të përjashtuar dhe për të përçarë, Dita Europiane e Gjuhëve këtë vit më 26 shtator na jep një mundësi  më shumë për të nxjerrë në pah gjithçka që është pozitive dhe pasuruese në Europën e sotme   shumëgjuhëshe dhe  kulturalisht e ndryshme.

Pesëmbëdhjetë vjet pas promovimit të saj, kjo Ditë vazhdon të përfaqësojë një forcë për unitet, sepse  shtrin  dorën  mikpritëse ndaj kulturave dhe gjuhëve të reja. Kjo është një nga shembujt  e shumtë të  punës pararojë të Këshillit për të promovuar diversitetin gjuhësor, tolerancën dhe respektin. Iniciativa të tjera të suksesshme aktuale përfshijnë zhvillimin e Kuadrit  të Referencës për  Kompetencat  për Kulturë Demokratike, të Fushatës për t’u thënë Jo fjalëve plot urrejtje, si dhe të Planeve të Veprimit në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që çojnë në terrorizëm dhe të Planit të Veprimit  për ndërtimin e shoqërive gjithëpërfshirëse. Këto iniciativa  forcohen përmes bashkëpunimit të Këshillit të Europës me Komisionin Europian, duke u formësuar me anë të veprimit të përbashkët mes Qendrës Europiane të Gjuhëve Moderne (QEGJM) dhe Komisionit Europian, kryesisht në fushën e klasave shumëgjuhëshe.

Pra, le të përdorim veprimtaritë festive kushtuar 26 shtatorit 2016 për të përcjellë  një mesazh të qartë në të gjithë Europën dhe më gjerë se  diversiteti  gjuhësor është një burim i rëndësishëm për t'u përdorur dhe për t’u mbajtur gjallë  jo vetëm në këtë datë, por çdo ditë. Ne duhet të mbështesin fëmijët e larguar nga shkolla për shkak të luftës dhe të terrorit. Ne duhet të njohin dhe të vlerësojmë të gjitha gjuhët që ata sjellin në shkollat tona. Ne duhet të vazhdojmë të përpiqemi për unitet në diversitet,duke  përdorur fuqinë pozitive të diversitetit gjuhësor për të pasuruar demokracitë tona dhe për të krijuar shoqëri më kohezive, më të sigurt dhe me gjithëpërfshirëse.

Informacion i përgjithshëm  për DEGj

Dita Europiane e Gjuhëve  (DEGj)  është një ditë për të nxitur mësimin e gjuhëve në të gjithë Europën.
Me iniciativën e Këshillit të Europës, Dita Europiane e Gjuhëve  festohet çdo vit më 26 shtator, që prej  Vitit Europian të Gjuhëve më  2001.

Qëllimet specifike të Ditës janë:

  • ndërgjegjësimi  i publikut për rëndësinë e mësimit të gjuhës për të rritur shumëgjuhësinë;
  • promovimi i diversitetit të pasur kulturor dhe gjuhësor të Europës;
  • nxitja e  mësimit të gjuhës gjatë gjithë jetës brenda dhe jashtë shkollës.

Faqja e internetit kushtuar  për Ditën është në dispozicion në 35 gjuhë dhe  qindra veprimtari janë regjistruar në kalendarin e ngjarjeve. Veprimtaritë kushtuar Ditës në Europë dhe në kontinente të tjera janë të organizuara kryesisht nga shkollat, universitetet, nga  institute gjuhësore dhe  kulturore, shoqatat dhe  zyrat e përkthimit në terren të Komisionit Europian.

Në vitin 2015 mbi 900 veprimtari janë regjistruar në kalendarin e veprimtarive të DEGj.